Jeta Osh Qef
Home

Qindra të rinj rrezikojnë të ngelen pa punë, këto kompani po zhvendosen në Kosovë
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 12/07/2018 8:07

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Janë me mijëra të rinj që punojnë në kompanitë Call Center, mirëpo disa prej këtyre kompanive i përkasin Forex-it në Shqipëri.

Kompanitë Forex që operojnë në vend dhe shërbejnë si qendra telefonike dyshohet se janë në të vërtetë kompani për pastrimin e parave.

Sipas Monitor këto kompani së fundmi po shpërngulen jashtë territorit të vendit pas kontrolleve që u janë bërë nga AMF, Krimi Ekonomik, Pastrimii i Parasë dhe Tatimet.

Këto kompani kanë filluar që të transferohen drejt vendeve të tjera të rajonit, apo dhe në Qipro. Katër prej tyre, që operonin në Shqipëri, mësohet se janë zhvendosur në Kosovë.

Por pas këtyre kontrolleve këto kompani kanë reduktuar në mënyrë drastike njoftimet për punë në disa prej portaleve kryesore të punësimit në Shqipëri. Javë më parë ishte e zakonshme që ëeb-i të bombardohej nga njoftimet për agjentë FTD (First Time Deposite), të cilat shpeshherë ishin edhe të sponsorizuara. Pagat për pozicionet e punës në këtë fushë veprimtarie janë të kënaqshme dhe qindra të rinj janë të punësuar në këto kompani që operojnë se qendra telefonike.

Me zhvendosjen drejt rajonit apo me mbylljen prej autoriteteve rregullatorë dhe mbikëqyrëse rrezikojnë që qindra të rinj të mbesin pa punë. Mbyllja e menjëhershme apo zhvendosja e tyre në rajon do të kthehej edhe në një problem social.

Pas presionit të qeverisë italiane që forcoi rregullat për kompanitë që ofronin shërbime call center për Italinë, shumë prej tyre për të mbijetuar filluan të diversifikoheshin në shërbimet e marketingut për aktivitetet financiare.

Këto kompani gjetën një strukturë gati, për shkak se aktiviteti call center kishte filluar të tkurrej, duke qenë se kompanitë nuk po siguronin më kontrata me jashtë. Ishte shumë e lehtë që ato të fillonin që të operonin në këtë fushë, teksa infrastruktura ishte thuajse gati. Një tjetër avantazh ishte kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe njohja e gjuhëve të huaja.

Pjesa më e madhe e kompanive që kryejnë aktivitet forex në Shqipëri nuk licencohen me argumentin se shërbejnë si ndërmjetësues, pra që lidhin një kompani mëmë, e cila mund të ketë seli qendrore në Qipro, Maltë, ose në një nga shtetet e Europës lindore, me klientë, kryesisht të Europës Perëndimore dhe se në bazë të tyre janë shërbimet marketing. Për çdo kontratë që ata lidhin, ose për çdo klient që ata bind për t’u bërë pjesë e platformave që marketojnë marrin komisione.

Rreziku dhe shqetësimi që kanë ngritur institucionet me këto kompani është se mund të shërbejnë për pastrim parash ose mund të jenë skema ponzi, ku nëpërmjet platformave fantazmë tërheqin fondet e klientëve.

Në rast se këto kompani iu shërbejnë skemave të tilla të mashtrimit, Shqipëria mund të kthehet në njollë të zezë në Europë për sa i përket ofrimit të shërbimeve financiare.

Foto ilustruese