Jeta Osh Qef
Home

Mes Elisës dhe Albanës do zgjidhja 1000 herë pastruesen e qytetit si shembullin e gruas
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: Thu Mar 8

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

8 Marsi është Dita Botërore e Gruas, e cili është vendosur si datë simbolike në vitin e largët 1906, në kujtim të 129 grave punëtore të vdekura nga zjarri në një fabrikë veshjesh në Neë York.

Në këtë kohë punëtoret kërkonin kushte më të mira pune dhe me 8 mars pronari i fabrikës bllokoi të gjitha daljet e stabilimentit, në të cilin shpërtheu zjarri dhe vrau shumë prej grave që punonin aty. Ngjason më shumë si legjendë, por që zanafilla e 8 Marsit kjo është dhe nuk ka të bëjë me ndonjë festë.

Më 1910 në Konferencën Ndërkombëtare të Grave Socialiste u vendos “Dita Ndërkombëtare e Gruas” me objektiv emancipimin dhe shtypjen maskilizmit.

8 Marsi është dita kur më shumë se kurrë i duhet mëshuar diskriminimit dhe dhunës të çfarëdo lloj forme që kryesisht në Shqipëri merr shumë jetë grash e vajzash.

Në Shqipëri gjatë vitit 2017 kanë mbetur të vdekura 10 gra si pasojë e dhunës në familje, por 2018 nisi edhe më keq kur një i ri nga Fieri vrau në mes të ditës të dashurën dhe veten.

Mirëpo, akoma më e shtypur është gruaja në vendin e punës dhe nuk po flasim për punët në zyra.

Po flasim për gratë heroina të fabrikave, fasonerive, pastruese, ato që punojnë në bujqësi, në fabrikat e përpunimit të mbetjeve, gratë e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilat të gjitha i bashkon margjinalizimi si pjesa më e shtypur, e cila punon shumë dhe nxjerr a nuk nxjerr lekët e bukës mujore.

Të gjithë i kemi parë pastrueset në rrugët e Tiranës, të cilat punojnë me orë të zgjatura deri në të gdhirë të mëngjesit, ndërsa koketat e ministrive dhe bashkive kanë mbaruar që në 4.

Po u referohemi me termin “koketë” nisur nga shembulli që japin gratë në postet zyrtare, duke filluar që nga deputetet, ministret, këshilltaret, drejtoreshat dhe punonjëset e niveleve të ndryshme të çdo institucioni, të cilat në vend që të hapin një shteg për emancipimin e gruas japin vetëm shembullin negativ, se si të vishesh me luks, të jetosh në luks, të dalësh në ekrane duke shitur shembullin e gruas së suksesshme.

Si mund të merret shembull suksesi Elisa Spiropali apo Albana Vokshi, të cilat me një jetë në politikë na kanë mësuar vetëm se si mund të vidhet dhe se si të krekosesh para kamerave, por kurrë nuk kanë bërë një hap emancipues për gruan.

Mes Elisa Spiropalit dhe Albana Vokshit dhe çdo politikaneje, pa asnjë mëdyshje do zgjidhja 1000 herë pastruesen e qytetit si shembull i gruas dhe emancipimit.

Ditën e sotme Erion Veliaj ka postuar 365 fotografi të zonjave të ndryshme të bashkisë, të cilat sipas tij i shërbejnë qytetit, por kjo nuk mjafton, edhe një fëmijë e di se kjo është furçë që lyen fasadën propagandistike të pushtetit.

Ajo që bie në sy janë imazhet mbizotëruese të atyre që më sipër i quajtëm “koketa”, zonja dhe zonjusha të kuruara, ndërkohë pjesa tjetër janë police ku dallohen uniformat e tyre të vjetruara dhe nga 365 gra, vetëm 12 janë fotografi të grave që pastrojnë qytetin.

Nuk qëndron problemi tek imazhi më shumë se si klasa politike kujtohet për të uruar gratë me një urim fasadë vetëm për 8 mars.

Rroftë 8-marsi, rroftë gruaja shqiptare që punon dhe mban familjen në pëllëmbë të dorës dhe koha është që gratë e shfrytëzuara dhe të shtypura  në punë, në shtëpi dhe në shoqëri të ngrenë zërin për barazi, liri dhe të drejta në punë./JOQ.al