Jeta Osh Qef
Home

Transporti ndërqytetas nuk njeh librezat e invalidëve, faturinot: Shteti nuk na jep gjë!
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: Thu Mar 8

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Shpeshherë na rastis që të shohim zënka mes faturinos apo mbikëqyrësve me qytetarët që posedojnë një librezë invadiliteti edhe pse sipas ligjit udhëtimi i invalidëve paguhet vetëm 50% të vlerës së biletës.

Mëton që shoqëritë e transportit ndërqytetës abuzojnë me çmimin e biletave në rastin e invalidëve, duke pretenduar se nuk e njohin librezën e tyre dhe kështu qytetarët detyrohen osë të paguajnë biletën e plotë ose të zbresin në tokë.

Në emisionin investigativ “Fiks Fare”, një qytetar është ankuar, duke thënë se udhëton në qytete të ndryshme në Shqipëri, por, megjithëse ka kartën e invaliditetit, ai e paguan biletën e plotë. Sipas tij, në disa raste faturinot e kanë zbritur nga automjeti, kur nuk ka paguar biletën e plotë.

Gjithçka që kërkon qytetari është abuzimi i ligjit, konkretisht ligji Nr. 7889, i datës 14 dhjetor 1994.

Krahas këtij ligji, Ministria e Transporteve ka nxjerrë një udhëzim, ku citon se subjekti transportues është i detyruar të zbatojë legjislacionin në fuqi për personat me aftësi të kufizuara, e t’i krijojë sa më shumë lehtësira për transport kësaj kategorie.

Sipas këtij udhëzimi, moszbatimi i legjislacionit në fuqi për transportin e personave me aftësi të kufizuara përbën shkelje të rëndë, e cila shkon deri në pezullimin ose heqjen e licencës dhe/ose certifikatës së autobusit.

Invalidët, bileta të plota

Por çfarë ndodh në terren? “Fiks Fare”, bashkë me ankuesin kanë shkuar në disa shoqëri që kryejnë aktivitet në linjat ndërqytetëse, për të verifikuar nëse ankesa e tij qëndron.

Në 6 linja të vizituara, asnjëra prej tyre nuk pranoi librezën e invaliditetit. Madje i kërkuan invalidit që të paguante biletën e plotë.

Një faturino i linjës Tiranë-Durrës shprehet:

Nuk i quajmë sepse nuk të jep shteti asnjë gjë. Këto janë për urbane e për trena.”

Ndërkohë, një faturino i linjës Tiranë-Shkodër thotë:

 Ne të Shkodrës s’e bëjmë asnjë. Pyesni shtetin, jo mua përse. Ai ia ka dhënë pensionin, këtë letër dhe po vet shteti s’e njeh”.

Edhe linja për në Kukës nuk e njeh librezën, sikurse edhe linja e Poliçanit. Megjithatë, autobusi i Poliçanit bënte vetëm ulje prej 100 lekësh, por pa njohur librezën.

Faturino thotë:

Tani, po të jetë për të kërkuar llogari, ne themi kaq është mundësia. Ke të drejtë ti, këtu në Shqipëri vetëm ne paguajmë, shteti nuk na jep gjë, vetëm na vjel.”

Për këtë është pyetur edhe kryetari i Shoqatës së Transporteve, Kujtim Mema, i cili thotë:

Vërtet thuhet në ligj se invalidi duhet ta marrë biletën me ulje prej 50%, por kompanitë nuk marrin kompensimin.
Nuk kemi si të veprojmë ndryshe. Shoqëritë nuk marrin asnjë kompensim dhe financim nga shteti, as për naftën, as për biletat. Shteti vetëm vendos taksa. Nëse marrin edhe invalidët me gjysmë çmimi, shoqëritë nuk fitojnë asgjë. I kam kërkuar Ministrisë që të njihet bileta e invalidëve, por ka mangësi nga shteti sa i takon këtij drejtimi.”

Ministrinë e Infrastrukturës e Energjisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të pyetura për këtë problem ia kalonin “topin” njëra-tjetrës.

Ministria e Infrastrukturës, nëpërmjet drejtorit për Transportin, Thimio Plaku, thotë se ligji nuk përcakton kompensim të këtij 50 përqindëshi, pra drejtuesit e mjeteve nuk marrim mbrapsht kompensimin e biletave.

Sipas tij, ky ka qenë një problem që është ngritur shpeshherë. Ai pranon se ka një problem që bie mbi shoqëritë e transportit, ndërsa shton se Ministria është e gatshme të bashkëpunojë për një skemë kompensimi, por që duhet të dalë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Zv.minitrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri tha se Ministria që duhet të kompensojë operatorët e linjave ndërqytetëse është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo thotë se nuk është vetëm kategoria e invalidëve problem, por edhe ajo e studentëve.

Probleme ka pafund, por askush nuk merr përgjegjësinë…Shqipëri 2018!