Jeta Osh Qef
Home

Gëzuar 7 marsin, festën e Euros
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: Wed Mar 7

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

7

Nga: Vjollca CUMARAKU

7 Marsi 1887 shënoi një datë themeltare për zhvillimin e kombit tonë. Hapja e mësonjëtores së parë të Korçës u bë një rreze drite që u ndez në errësirën shumë shekullore të të gjithë pushtuesve me radhë. Pikërisht në këtë datë Pandeli Sotiri e filloi mësimin për herë të parë në gjuhën shqipe me vetëm 35 nxënës. Me shumë vështirësi, mësime në fshehtësi, rrëzime e ringritje, përkushtim i pastër i mësuesve, arriti të mbrohej më fanatizëm ndaj çdo stuhie që i përplasej haptas, për të arritur deri në ditët e sotme.

Sot????

Arriti deri në vitin 2018, e përqafuar nga mësues të denjë për këtë profesion, me mësues dashamirës ndaj dijes, drejtorë të betuar në drejtësi maksimale, mësues të përulur ndaj dëshirës që nxënësit e tyre të arrijnë sa më lart, pedagogë që pranojnë të punojnë me gjysmë rroge, mjafton vetëm që studentët të arrijnë synimet që kanë, të kthehen ndihmë për këta të rinj në rrugën e nisur, me misionarë të përbetuar, me mësues ku 7 Marsi për ta është një festë vetëm falenderimi e asnjëherë e konvertuar në gjëra materiale, me këta mësues krenarë për punën e tyre.

Apo është përrallë nga e kaluara  kjo?

Fatkeqësisht po. Realiteti i sotshëm dhemb fort nëse vendos ta shikosh e diskutosh pa dorashka. Të gjitha ato më lart tashmë i kanë lënë vendin një fjale të vetme që përshkruan arsimin e sotëm: INTERES.

Interes ekonomik, interes seksual, interes pidestali, interes egoje, interes e interes e interes…

Tani çdo ditë përballemi me neverinë që ka mbërthyer këtë profesion, më saktë mision. Gjithsesi siç e kërkon tradita, ne i urojmë në këtë festë mjaft të veçantë.

Urojmë:

Mësuesin që nuk i bëhet vonë nëse e ka bërë si duhet punën e vet.

Edukatoret që praktikojnë artet marciale me fëmijën 3 vjeçar që u është besuar.

Edukatoren që mendon se koka e fëmijës është krijuar vetëm për tu përplasur mbi bankë.

Atë mësuesin që pret me padurim 7 Marsin që të marrë në duar atë fustanin e shtrenjte që më stil e ka kërkuar.

Atë mësuesin që në vend të diskutimit mbi librat, diskuton mbi telenovelat turke.

Atë mësuesin që të lë të qetë të navigosh në internet, mjafton që mos ta shpërqendrosh nga navigimi i tij.

Atë mësuesin pedofil që nerveritshëm realizon synimet e tij.

Atë mësuesin që të jep maksimumin ngaqë mamaja jote i dërgon dhurata pasdite në shtëpi.

Mësuesin që për orë e orë shpalos eksperiencat e tij jashtë atdheut në orët e gjuhëve të huaja.

Atë mësues, përkrahës të flaktë të bullizmit.

Atë drejtor që kërkon taksë mbi taksën që nuk duhet të paguash.

Atë pedagog që fillimin e leksioneve e bën në përfundimin e orarit ditor të shkollës.

Atë pedagog që të fal 5 kur ti meritoje 9.

Atë pedagog që për provim të kërkon 300 euro.

Atë pedagog qe po prapë për provimin tjetër të kërkon 600 euro.

Atë pedagog që duhet të paguajë borxhin e akumuluar që paguante për të hyrë për të  dhënë mësim ty.

Atë pedagog që 7 Marsin nuk e sheh kurrë si një falenderim, por si një ditë shopping-u.

Atë pedagog që nuk pranon lekë, i dëshiron e i kërkon euro.

Atë pedagog, që i justifikon vonesat 4 orëshe për të dhënë leksion.

Ama tregon korrektese maksimale në ditën e pazarit mësimor, atë të rrogave të dyta, 3 herë në vit.

Për fatin tonë të zi kjo është një pjesë e realitetit të arsimit aktual në Shqipëri, sepse ta përshkruash të gjithin duhen edhe disa orë të tera pa pushim. Degradimi i tanishëm do jetë fataliteti i së ardhmes. Do jemi ndër shtetet ku gjen një pafundësi të rinjsh me diploma fallco, doktorë që preferojnë një selfie në sallën e operacioneve përpara fillimit të punës, me mësues historie që nuk dinë datën e saktë të pavarësisë.

Nuk duhen lënë kurrë mënjanë ata mësues e pedagogë që akoma nuk i kanë ikur misionit të tyre fillestarë. Ata që meritojnë përulje përpara punës fantastike që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë. Jeni njerëzit më të veçantë, e meritoni dashuri e respekt pa fund.

Ndërsa atyre të tjerëve iu themi thjeshtë gëzuar festen tuaj, festen e EUROS.