Jeta Osh Qef
Home

Çifti shkodran ndërron jetë në të njëjtën kohë pas 60 vitesh
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: Sun Feb 18

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

NGA JOQ.al

Ky shkurt i brishtë Shkodrën e le me një romancë më pak…Dhe jo me një romancë dosido, por një të pak ngjashme, me një prej atyre dashnive që kokën ta mbush me pikëpyetje për jetën tënde dhe bën që “ajo të të fusë ujë” nga “vrimat” e përditshmërisë, pakënaqësive, mërive e dyshimit.

Përballë Kafës së Madhe (më në fund të rikonstruksion), kanë qenë gjithmonë të afishura njoftimet e vdekjes. Ishin edhe dje, më 17 shkurt 2018. Përbri njëri-tjetrit, si në jetë ashtu dhe në vdekje, ishin dhe Jolanda e Ndoc Gurashi. Çifti i pazakontë xhiron e fundit në Piacë, po e banin po krah për krahu në formë njoftimi.

“Paaahhhh paska vdek piktori?! U qyre edhe e shoqja?! Po ça kanë pasë more?!”

Dhe përballë këtyre dy njoftimeve askush nuk i bën llogaritë më moshën, ajo 82 dhe ai 95, por të gjithë i bëjnë me dashninë e tyre. I gjithë qyteti këtë çift që nuk pati kurrë fëmijë, por mjaftueshmërisht patën dashninë për njëri-tjetrin i mban mend gjithmonë përdore.

33

Kur hapat e shpejtë filluan me u ngadalsue prej moshës, atëherë duart e tyre shtrëngoheshin ma fort dhe kokat e bardha afroheshin mes vedi. Në xhiron e Shkodrës gjithkujt i bënte zili dashnia e tyre dhe pak kush, sidomos të rinjtë e çdo brezi, mund të mos e ketë pyetë veten sa herë i shikonte: “A thua edhe unë do të kem fatin me u plak kështu, me gjithë këtë dashni pranë? Ça duhet me ba me e pas një fat të tillë?! A ka një formulë”

Jolanda dhe Ndoc Gurashi, prej 60 vitesh ishin një model dashnie në qytetin e dashnisë. Prej 60 vitesh, ata ishin parë gjithmonë e gjithkund së bashku, herë përdore e herë përkrahu.

Axha Ndoc, siç e thërriste gjithë qyteti, kishte arritur ta kthente në kult dashninë për gruan e tij, e ajo në idhull burrin e saj.

Për herë të fundit kur i pashë në një paradite me diell në Pedonale, dikush i përshëndeti me ëmbëlsi:

“Si je zotni Ndoc, i fortë? Zonja?” E zotni Ndoci, si një burrë e një race tjetër,  pa asnjë qasje në këtë kohë aspak kavalierash, kthehet e shikon gruan e vet, i pangopur akoma me të edhe pas 60 vitesh dhe përgjigjen e kthen veç me sy. E tjetri e merr vesh përgjigjen veç prej dritës së atyre syve: Zonja është akoma për të trëndafili më i bukur!

Jolanda Gurashi ndërroi jetë ditën e Dashurisë. Me 14 shkurt të këtij vitit ajo mbylli sytë përgjithmonë dhe me datë 15 e përcollën për në banesën e fundit. Axha Ndoc, veç dy ditë ia doli me marrë frymë pa dashninë e jetës së tij. Me 17 shkurt mbylli sytë edhe ai. Ishte ditë e ngrohtë me diell, ditë e bukur fort për të vdekur dhe më e bukur akoma për tu ritakuar me dashninë pakushte të një jete të tërë.

gurashi1

“S’ ma merr mendja se ishin ndarë ndonjëherë në jetë më shumë se dy ditë, nuk ia paska dalë as tash. Shpirti i gjettë dritë të dyve në Parrizë. Kanë me i mungu qytetit”- thotë një za burri përballë njoftimeve për vdekjen e çiftit Gurashi, që i lutet shokut të vet ta kujtojnë të shkojnë nesër për ngushëllim edhe pse i ka njohur vetëm për së largu.

“Që kur e mbaj mend vetën në xhiro, i mbaj mend edhe këta të dy dorë për dore,” – thotë një za tjetër i keqardhur.

Ka ngjarje e figura që me veprime shënjojnë jetën një qyteti. Ama ka edhe njerëz që në historinë e qytetit dhe në jetën e banorëve hyjnë butë-butë, përmes ndjesive që përcjellin, duke na bërë më të mirë, më njerëzor edhe pse kurrë nuk ke ndarë as përshëndetje e as kujtime me ta. Piktori i luleve,  sot më 18 shkurt, iu bashkua bashkëshortes së tij për të vazhduar jetën e tyre në amëshim së bashku, pikërisht aty ku ajo tokësorja u ndërpre këtë 14 shkurt…

Një grimcë nga dashnia e pazakontë…

11

Për me arrit me pa sadopak me sytë e tyre jetën e këtij çifti që nuk e ndau dot as vdekja, po ju përcjellim vetëm dy pasazhe të një interviste të dhënë nga piktori Ndoc Gurashi në vitin 2006 për BBC…

Me sa duket z. Gurashi, vitet nuk e kanë zbehur tek ju pasionin për artin.

Është e vërtetë, është ai që më ka mbajt gjallë dhe të fortë plus bashkëjetesa me shoqen time të jetës, e cila më është gjet përkrah gjithmonë. Ajo ka qenë e gatshme me më ndihmu në fusha të ndryshme, meqë jemi vetëm burrë e gru e nuk kemi pasë fëmijë jemi gjet prezent gjithherë shoqi-shojit e kështu që edhe ajo ka pjesën e saj në aktivitetin tem artistik".

 I shisni pikturat tuaja z. Gurashi?

Absolut, nuk më ka shku në mend kurrë. Mundet të jetë edhe një efekt i dashurisë që e kam kalu tuj mos pasë fëmi. Dashurinë ia kam kalu punëve të mia. Unë nuk kam pas tjetër kend përpos gruas. Nipat qofshin se i kam shumë të mirë e të nderum, sot janë jashtë të gjithë, por me të thanë të drejtën pikturat i ndjej sikur janë një krijesë e jemja".
Z. Gurashi, ju shohim vazhdimisht të pranishëm në veprimtaritë kulturore që zhvillohen këtu në Shkodër, por në fakt ju kemi parë shpeshherë së bashku me bashkëshorten tuaj që t’i drejtoheni edhe stadiumit këtu në Shkodër sa herë që luan Vllaznia. Pra, sporti është një tjetër pasion i juaji?
Më ke prek në një degë pak delikate, se unë nuk jam tifoz, unë kam grun tifoze. Mandej më asht dasht për hatër të grus me shku në stadium, jo për vedi, unë nuk di tifo, as nuk di kur bahet gol, jam krejt analfabet, po për fat ajo ishte shumë tifoze, asht kenë një prej atyne tifozeve që kanë qenë të mirënjohuna me kartelë, me librezë, me vend të shenjum në stadium. Na e kena marrë mbrapa edhe nëpër Shqipni dhe kur më pyetshin: Ndoc ku po shkon?
Iu përgjigjshe: po shkoj si i marri mbas kapadaisë.
Njëqind herë kam pi prej saj, se fitume, po gzim i madh, – i thojsha unë, po kur humbshim në shtëpi ishte një mort, tu kja, vunte seriozisht. Pra, ka qenë apasionante".

22